Brenda Punëtorisë për Hartimin e Politikave të Re-ACT Lab dhe FES: Ndryshimet në Tregun e Punës si rezultat i automatizimit dhe Hendeku Digjital
Brenda Punëtorisë për Hartimin e Politikave të Re-ACT Lab dhe FES: Ndryshimet në Tregun e Punës si rezultat i automatizimit dhe Hendeku Digjital
23 Prill 2026
Të enjten, më 23 prill, Re-ACT Lab, në partneritet me Friedrich Ebert Stiftung, Zyra në Prishtinë, organizoi një punëtori dinamike për hartimin e politikave me titull “Bashkë-dizajnimi i Politikave Publike: Ndryshimet në Tregun e Punës dhe Hendeku Digjital”.
Punëtoria mblodhi mbi 25 palë kyçe të interesit në Kosovë, duke përfshirë përfaqësues të nivelit të lartë qeveritar, agjenci operative, biznese dhe akterë të shoqërisë civile. Qëllimi ishte të shkohej përtej debateve tradicionale dhe të bashkë-dizajnoheshin në mënyrë aktive politika proaktive për të ndërtuar reziliencën institucionale dhe shoqërore përballë dy goditjeve të ndërlidhura: ndryshimet në tregun e punës si pasojë e automatizimit dhe hendeku digjital.
Puna e organizuar në këtë punëtori u bazua në gjetjet dhe rekomandimet kryesore të ofruara nga Re-ACT Lab në publikimet e tij kërkimore, të cilat vlerësojnë reziliencën institucionale dhe shoqërore në Kosovë përballë këtyre dy goditjeve:
Ndryshimet në tregun e punës si pasojë e automatizimit
Hendeku digjital: nga një hendek në një goditje
Punëtoria u hap zyrtarisht me fjalën hyrëse të z. Agon Dobruna, Zëvendësministër në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, i cili theksoi rëndësinë e adresimit të hendekut digjital dhe ndryshimeve në tregun e punës në një kohë kur zhvillimet teknologjike po rrisin gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre. Më pas, znj. Rudina Nallbani, Menaxhere e Programit në FES, prezantoi projektin “Vlerësimi i Reziliencës së Shoqërisë Kosovare ndaj Goditjeve Institucionale dhe Ekologjike” dhe theksoi rëndësinë e politikëbërjes bashkëpunuese dhe të bazuar në dëshmi për përgatitjen e reziliencës së Kosovës ndaj këtyre goditjeve.
Gjatë Sesionit I të punëtorisë, fokusi u zhvendos në prezantimin e gjetjeve dhe hulumtimit të Re-ACT Lab. Nën drejtimin e Gresa Smolicës (Drejtoreshë Ekzekutive në Re-ACT Lab) dhe Sokol Zenelit (Drejtor i Hulumtimit dhe Programeve në Re-ACT Lab), pjesëmarrësit u ftuan të eksplorojnë Hartat Logjike interaktive, të cilat paraqisnin vizualisht gjetjet kryesore të hulumtimit, metodologjinë e vlerësimit dhe rezultatet, si dhe rekomandimet kyçe. Si pjesë e këtij prezantimi, facilituesit përfshinë gjithashtu “parametrat legjislativë” të rekomandimeve, të mbledhur gjatë fazës së konsultimeve me deputetët dhe përfaqësuesit e ministrive relevante në Kosovë, të realizuara si pjesë e fazës së parë të kësaj punëtorie.
Duke kaluar nga kërkimi në praktikë, Sesioni II i ndau pjesëmarrësit në grupe pune të ngarkuara me përgatitjen dhe dizajnimin e politikave konkrete.
Si pjesë e këtij sesioni, grupet përdorën “Policy Canvas” të personalizuara për të zbërthyer rekomandimet kërkimore në hapa konkretë zbatimi, duke i shndërruar ato në politika publike. Për të siguruar që këto politika të ishin politikisht të zbatueshme, pjesëmarrësit punuan brenda parametrave legjislativë të propozuar, të mbledhur gjatë fazës së konsultimeve. Kjo e ankoroi procesin kreativ të bashkë-dizajnimit në realitetin politik.
Nën lehtësimin e Paulina Behlulit, punëtoria vazhdoi me Sesionin II, ku grupet e punës prezantuan draftet e tyre të Policy Canvas në një sesion plenar. Ky sesion funksionoi si një negociatë e drejtpërdrejtë, duke u mundësuar pjesëmarrësve të identifikonin mbështetjen ndërinstitucionale dhe ndërvarësitë nga veprimet e planifikuara në secilën politikë publike.
Ky mjedis bashkëpunues siguroi që asnjë politikë të mos dizajnohej në izolim.
Përfaqësuesit e institucioneve publike, bizneseve dhe shoqërisë civile u zotuan të mbështesin njëri-tjetrin në zbatimin e veprimeve të dakorduara.
Një rezultat kyç i kësaj punëtorie është Deklarata Finale e Reziliencës, e cila, së bashku me Policy Canvas të detajuara, përcakton zotimet dhe hapat operacionalë të dakorduar për ndërtimin e reziliencës së institucioneve dhe shoqërisë në Kosovë përballë ndryshimeve në tregun e punës si pasojë e automatizimit dhe mbylljes së hendekut digjital.
Përderisa Re-ACT Lab dhe FES vazhdojnë tutje me implementimin e projektit, kjo Deklaratë Finale e Reziliencës do të shërbejë si mjeti ynë kryesor i avokimit. Ne do ta përdorim këtë dokument për t’u angazhuar aktivisht me ministritë dhe institucionet relevante publike, duke avokuar për zbatimin e drejtpërdrejtë të këtyre politikave të bashkë-dizajnuara.
Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre të çmuar në këtë vizion të përbashkët.
Re-ACT Lab promovon hulumtimin dhe inovacionin si mjet për të avancuar reformat qeveritare dhe të politikëbërjes në Kosovë dhe rajon.