Zgjedhje të parakohshme në Gjermani: Cilat janë perspektivat për zgjerimin e BE-së?
21 Janar 2025
Shkruar nga: Gregor Christiansmeyer
21 Janar 2025
Shkruar nga: Gregor Christiansmeyer
Në vend që të përfundonte mandatin, koalicioni trepartiak gjerman u shpërbë në nëntor 2024. Partitë që formonin qeverinë kishin debatuar publikisht për muaj me radhë – shpërbërja përfundimtare ndodhi kur qeveria nuk arriti të binte dakord për buxhetin e vitit 2025.
Pas një vote mosbesimi, presidenti gjerman shpalli zgjedhje të parakohshme për 23 shkurt. Ndërkohë, një qeveri minoritare e përbërë nga Social Demokratët (SPD) dhe të Gjelbrit është përgjegjëse për masat e përkohshme. Meqenëse asnjë buxhet nuk u miratua, administrata ka hapësirë të kufizuar veprimi brenda procedurës së quajtur menaxhim paraprak i buxhetit.
Mundësi të kufizuara për iniciativa në politikën e jashtme
Megjithëse operacionet e përditshme qeveritare po vazhdojnë normalisht, aftësia e Gjermanisë për të udhëhequr agjenda evropiane ose ndërkombëtare mbetet e kufizuar. Brenda Bashkimit Evropian (BE), periudha e tranzicionit të pasigurt si në Francë ashtu edhe në Gjermani e bën të pamundur marrjen e vendimeve më të guximshme për momentin. Presidenca polake e Këshillit në gjysmën e parë të vitit 2025 pritet të marrë një rol më udhëheqës.
Që nga viti 2014, Gjermania ka promovuar të ashtuquajturin Procesi i Berlinit – një iniciativë diplomatike për të nxitur integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor 6.[1] Ky proces është mbështetur nga të gjitha qeveritë gjermane që nga ajo kohë, përfshirë forcat politike Kristian-Demokrate (CDU/CSU), Social Demokrate, Liberale (FDP) dhe të Gjelbër. Megjithatë, aktivitetet e Procesit të Berlinit nuk kanë pasur gjithmonë mbështetjen e plotë të qeverive të tjera të BE-së dhe rajoni është përballur pjesërisht me sfida në zbatimin e tij.
Një ndërprerje brenda një periudhe me dinamikë të re?
Si pasojë e dy faktorëve – pushtimit të plotë rus të Ukrainës dhe qasjes së një BE-je më gjeopolitike – janë krijuar dinamika të reja si në Procesin e Berlinit ashtu edhe në zgjerimin e BE-së: Brenda Procesit të Berlinit, u arrit që të krijohen marrëveshje për lëvizshmërinë rajonale (por me pak përparim domethënës në zbatimin e tyre praktik). Në nivel kombëtar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapën negociatat (Shqipëria madje edhe kapitujt e parë të anëtarësimit). Mali i Zi siguroi mbylljen e tre kapitujve të negociatave për herë të parë që nga viti 2017. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e vendit kandidat. Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim dhe më në fund iu dha liberalizimi i vizave. Serbia nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme për litiumin, megjithëse nuk shënoi përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Meqenëse hapat e mëtejshëm në rrugën e anëtarësimit zakonisht varen nga një votim i suksesshëm i Këshillit të Bashkimit Evropian, është interesante të shqyrtohen dinamikat politike në këtë fushë në Gjermani: Në debatin publik, temat e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit zakonisht marrin vëmendje vetëm në ngjarje konkrete siç janë samitet apo vizitat shtetërore. Gjatë fushatës zgjedhore, zgjerimi nuk është një çështje që ndikon te votuesit. Megjithatë, përbërja e qeverisë gjermane ka një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me rajonin.
Realpolitik për Litiumin dhe Migracionin
Në të kaluarën e afërt, marrëveshja e përmendur më parë dhe mbështetja e kancelarit Scholz për një projekt të nxjerrjes së litiumit në Serbi janë kritikuar si në kundërshtim me detyrimet e Serbisë për t’u përafruar me politikat e BE-së në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër. Disa aktorë gjithashtu dëshironin një reagim më aktiv nga qeveria gjermane në largim në lidhje me marrëveshjen e migracionit që Giorgia Meloni e Italisë arriti me Shqipërinë (edhe pse zbatimi i saj është bllokuar deri tani nga gjykatat).
Të dyja këto tema janë ndikuar fuqishëm nga kërkesat dhe debatet e brendshme në Gjermani, ku zgjerimi i BE-së nuk shihet si prioritet për votuesit, por është më i rëndësishëm për diskursin politik (edhe pse jo gjithmonë për diskutimet diplomatike ose teknike). Industria gjermane e prodhimit të makinave, e goditur nga kriza, varet shumë nga lëndët e para, të cilat deri më tani furnizohen kryesisht nga Kina. Në të njëjtën kohë, debati i brendshëm mbi migracionin e parregullt ka vënë nën presion edhe partitë me qasje më liberale, duke i shtyrë ato të kërkojnë opsione të ndryshme – përfshirë realizimin ligjërisht dhe etikisht të diskutueshëm të procesimit të kërkesave të azilit jashtë vendit. Për këtë arsye, shumë politikanë janë të interesuar për rezultatin përfundimtar të marrëveshjes së migracionit midis Italisë dhe Shqipërisë.
Një mbizotërim i tillë i politikës së interesit (dhe Realpolitik-ut gjerman) mund të shihet si kontradiktor me kërkesat e larta ndaj vendeve kandidate në proceset e zgjerimit, por njëkohësisht reflekton ndryshimet aktuale dhe debatet e ardhshme brenda BE-së.
Prandaj, le të shqyrtojmë programet zgjedhore të partive gjermane që garojnë për vota në zgjedhjet e parakohshme 2025. Jo të gjitha partitë i kanë publikuar programet e tyre përfundimtare, pasi zakonisht ato miratohen përmes votimeve në kongreset e partisë, por edhe programet paraprake japin indikacione të qarta në lidhje me politikën e planifikuar për zgjerimin e BE-së. Në seksionet e ardhshme, do të eksplorojmë politikat që partitë që synojnë hyrjen në Bundestagun gjerman duan të ndjekin në lidhje me zgjerimin e BE-së.[2]
Qëndrimi i grupit politik të kancelarit të ardhshëm?
Partitë kristian-demokrate (CDU dhe partia e saj simotër bavareze CSU) kanë qenë forca kryesore opozitare gjatë tre viteve të fundit. Aktualisht në krye të garës për të fituar zgjedhjet, kapitulli për Evropën në programin e tyre synon të “riformatojë politikën e zgjerimit dhe të fqinjësisë”. Krahasuar me partitë e tjera, programi i tyre përmban deklaratën më të gjatë mbi temën e zgjerimit. Në një kritikë indirekte ndaj vendimeve shpesh politike se kush avancon në këtë proces, ata bëjnë thirrje për një “zgjerim [i cili] të bazohet më shumë në arritjet konkrete të vendeve kandidate – pa bërë kompromis me kriteret”.
Sa i përket procesit konkret të zgjerimit, programi avokon për një qasje hap pas hapi, duke propozuar “faza ndërmjetëse për vendet kandidate që ende nuk i përmbushin të gjitha kërkesat e anëtarësimit, por po zbatojnë në mënyrë të vendosur reformat drejt anëtarësimit”. Ndërsa nënvizon qartë të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë, programi përjashton mundësinë e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. CDU/CSU synojnë të vazhdojnë angazhimin e Gjermanisë në Komunitetin Politik Evropian, por paralajmërojnë kundër krijimit të strukturave paralele me BE-në.
Një qëndrim kritikisht pozitiv ndaj zgjerimit, siç shprehet në program, reflektohet gjithashtu në deklaratat e politikanëve të profilit të lartë për politikën e jashtme të këtyre partive, si Norbert Röttgen. Gjithashtu, kandidati për kancelar, Friedrich Merz, ka shprehur vazhdimisht besimin e tij në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Armiqtë e Zgjerimit
Alternative für Deutschland (AfD, Alternativa për Gjermaninë), aktualisht partia e dytë më e fortë në sondazhe dhe e njohur për mbështetjen publike nga Elon Musk dhe një diskutim absurd online që Musk organizoi për kandidaten kryesore Alice Weidel, mban një qëndrim krejtësisht ndryshe ndaj zgjerimit të BE-së. Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar këtë parti si një organizatë të dyshuar ekstremiste të djathtë që disa vite më parë. Ajo është, me diferencë të madhe, partia me qëndrimin më negativ ndaj zgjerimit: “Ne refuzojmë zgjerimin lindor të Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”.
Draft-programi elektoral (versioni përfundimtar ende nuk është publikuar) gjithashtu bën thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe shpërbërjen e Bashkimit Evropian në favor të një “komuniteti ekonomik dhe interesi” të ardhshëm. Meqenëse pothuajse të gjitha partitë që pritet të hyjnë në parlamentin e ardhshëm refuzojnë ashpër çdo bashkëpunim me AfD-në, qëndrimi negativ i kësaj partie ka pak gjasa të ndikojë drejtpërdrejt në politikën e jashtme gjermane. Megjithatë, fuqia e një lëvizjeje të tillë mbetet shumë shqetësuese.
Heronjtë e vetëshpallur të zgjerimit
Socialdemokratët (SPD), partia e kancelarit aktual gjerman Olaf Scholz, renditen aktualisht në vendin e tretë në sondazhe. Kjo parti ka lidhje të gjata me vendet e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me politikën e zgjerimit, programi i saj pretendon me guxim: “Ne e kemi ringjallur atë”. Programi argumenton se zgjerimi ka një rëndësi të lartë transformuese dhe gjeopolitike.
“Ne jemi të përkushtuar për pranimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përparimi i prekshëm në procesin e zgjerimit, siç është qasja në tregun e vetëm, duhet t'u bëjë njerëzve të ndjejnë se rruga drejt BE-së ia vlen”.
Kjo deklaratë rezonon me kërkesën për një pranim të fazuar, e cila është paraqitur gjithashtu në programin e CDU/CSU, por i jep një perspektivë më pozitive procesit, edhe pse paragrafi pasues nënvizon se Kriteret e Kopenhagës duhet të përmbushen në çdo rrethanë.
Vlen gjithashtu të përmendet se SPD argumenton se një rishikim i traktateve të BE-së duhet të realizohet më së voni para zgjerimit të ardhshëm, gjë që mund të përbëjë një pengesë për zgjerimin.
Megjithatë, politika e zgjerimit e përshkruar në program është shumë e ngjashme me politikat e zbatuara së fundmi nga qeveria në largim. Kancelari Scholz ka organizuar dhe promovuar publikisht samitet e Procesit të Berlinit, dhe Ministria e Jashtme Gjermane (e drejtuar nga një ministër i Gjelbër) ka shtyrë përpara hapa si në prapaskenë ashtu edhe publikisht. Në të njëjtën kohë, Scholz është kritikuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin e tij me Serbinë në një projekt të diskutueshëm për ekstraktimin e litiumit. Ky angazhim pritet të vazhdojë nga SPD, siç tregon programi, duke theksuar nevojën për “zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm dhe akses në lëndë të para veçanërisht të vlefshme”.
Edhe pse një nga mbështetësit më të fuqishëm të zgjerimit, Michael Roth (kryetar i komisionit për çështjet e jashtme dhe ish-Ministër i Shtetit për Evropën), nuk do të rikandidojë, SPD ka figura të tjera, si Adis Ahmetović me origjinë nga Bosnja, i cili me shumë gjasë do të ndjekë një qasje të fortë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Zgjerimi në thelbin e BE-së?
Të Gjelbërit, të cilët aktualisht drejtojnë Ministrinë e Jashtme Federale me ministren e tyre Annalena Baerbock, deklarojnë: “Ne duam të forcojmë, zgjerojmë dhe reformojmë BE-në”. Në draft-programin e tyre, ata theksojnë nevojën e fortë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe formulojnë shpresën për një perspektivë evropiane të ardhshme për Gjeorgjinë dhe Turqinë, me kusht që të rikthehen në shoqëri demokratike. Programi gjithashtu nënvizon se kriteret e anëtarësimit duhet të përmbushen.
Një politikë më e detajuar nuk është përshkruar. Megjithatë, dy mbështetës kritikë, por të vendosur të zgjerimit, po kandidojnë për (ri)zgjidhje në Bundestagun gjerman, edhe pse me mundësi të paqarta: Viola von Cramon-Taubadel (ish-deputete dhe eurodeputete, tani kandidate direkte në Göttingen), një mbështetëse e fuqishme e dialogut Kosovë-Serbi dhe Manuel Sarrazin (ish-deputet, tani kandidat në Hamburg), i cili, si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë për Ballkanin Perëndimor, po ushtron presion publik mbi qeveritë e rajonit për të ndërmarrë reforma.
Zëra të tjerë me përfaqësim të paqartë në parlament
Liberalët (FDP), të cilët në fund shkaktuan rënien e qeverisë, aktualisht renditen rreth pragut prej 5% në sondazhe.[3] Ashtu si të Gjelbërit, programi i tyre është mjaft i shkurtër për temën e zgjerimit: “Reformat institucionale janë gjithashtu të nevojshme për të përgatitur BE-në për raundin e ardhshëm të zgjerimit. Në fund të fundit, anëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës në BE, në përputhje me kriteret e Kopenhagës, është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës”. Për më tepër, ata mbështesin përfundimin e negociatave me Turqinë.
Aleanca e Sahra Wagenknecht (BSW, Bündnis Sahra Wagenknecht), një fraksion i shkëputur nga e majta me prirje pro-Rusisë dhe e drejtuar nga politikania e njohur Sahra Wagenknecht, gjithashtu renditet rreth pragut prej 5% në sondazhe. Partia relativisht e re hyri në disa parlamente rajonale në vitin 2024 dhe është pjesë e dy qeverive rajonale. Programi i partisë për zgjerimin është i shkurtër dhe i qartë: “Ne duam një ndalim të zgjerimit të BE-së, i cili vlen edhe për Ukrainën, që përndryshe do të bëhej një gropë e pafund për taksapaguesit gjermanë”. Për më tepër, ata argumentojnë se qytetarët gjermanë duhet të mbajnë një referendum për secilin zgjerim të mundshëm të BE-së. Ashtu si AfD, është shumë e pamundur që BSW të hyjë në një qeveri, pasi pothuajse të gjitha partitë e përjashtojnë bashkëpunimin në nivel kombëtar.
E Majta (Die Linke) aktualisht është nën pragun prej 5%, por ka shanse të vogla për të hyrë në Bundestag për shkak të një specifike të ligjit zgjedhor gjerman, i cili parashikon një përjashtim nga pragu nëse një parti fiton disa zona elektorale drejtpërdrejt. Në versionin aktual të draftit të programit të saj, E Majta mbështet këtë vizion për zgjerimin: “Ne duam një zgjerim të Bashkimit Evropian të bazuar në solidaritet, që kërkon respektimin e standardeve sociale, ekologjike dhe demokratike. Ndihma për anëtarësimin duhet t’i shërbejë zhvillimit të vendeve përkatëse dhe t’i mundësojë ato të përmbushin këto standarde, në mënyrë që edhe njerëzit në terren të përfitojnë. Gjithashtu, kërkohen reforma të BE27 për të mundësuar zgjerimin”.
Dallimi mes politikave të së Majtës krahasuar me CDU/CSU, SPD, të Gjelbërit dhe Liberalët bëhet i qartë kur shikohet vizioni i tyre i përgjithshëm: “Vizioni ynë për një Evropë paqësore nuk është një Luftë e Ftohtë 2.0, por një OSBE 2.0. Një arkitekturë e përbashkët e sigurisë për Evropën duhet të zëvendësojë NATO-n në afat të mesëm. Në afat të gjatë, ajo mund të përfshijë gjithashtu Rusinë dhe Turqinë – me kusht që të gjitha luftërat e agresionit të përfundojnë”. Për këtë arsye dhe të tjera, përfshirja e së Majtës në qeverinë federale duket e pamundur.
Çfarë mund të nënkuptojnë programet për politkat e zgjerimit?
Ndërsa të gjitha partitë politike ende shpresojnë të ndryshojnë opinionin publik në favorin e tyre, duke bërë të mundshme koalicione të ndryshme, diskutimet aktuale në media dhe deklaratat publike të politikanëve sugjerojnë se koalicioni më i mundshëm do të jetë ai midis Kristian-Demokratëve dhe Social-Demokratëve, nën udhëheqjen e Friedrich Merz. Një qeveri e udhëhequr nga CDU/CSU me të Gjelbërit (ose me të Gjelbërit dhe Liberalët) duket të jetë opsioni i dytë më i mundshëm. Të gjitha këto parti mbështesin anëtarësimin në BE të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë, duke iu referuar si domosdoshmërisë gjeopolitike ashtu edhe nevojës për përmbushjen e kriterieve të Kopenhagës. Megjithëse nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor në politikën gjermane për zgjerimin e BE-së, mbetet e hapur pyetja se sa e fortë do të jetë qeveria e ardhshme gjermane dhe sa hapësirë do t’i japë çështjeve evropiane, përballë sfidave të shumta të brendshme nga ekonomia te politika sociale dhe e sigurisë.
_______________________________
1. Ballkani Perëndimor i referohet zonës gjeografike që përbëhet nga këto shtete: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
2. Përmbledhjet janë paraqitur sipas renditjes së sondazheve të opinionit aktual. Të gjitha citimet janë përkthyer nga autori nga programet zgjedhore në gjermanisht, disa prej të cilave janë ende nën miratim përfundimtar nga kongreset e partive.
3. Aktualisht, një parti duhet të fitojë të paktën 5% të votave (ose të fitojë të paktën tre zona elektorale) për të qenë e përfaqësuar siç duhet në Bundestag. Ndryshe, partitë kanë mundësinë vetëm të jenë pjesë e opozitës jashtëparlamentare.
Gregor Christiansmeyer është anëtar i Bordit Drejtues në Re-ACT Lab. Ai ka përfunduar studimet në histori dhe shkenca politike. Aktualisht punon si koordinator programi me fokus në Evropën Qendrore dhe Lindore në Dortmund. Më parë, ai ka qenë angazhuar si Mercator Fellow për Çështje Ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, duke punuar mbi potencialet e transformimit të shkëmbimit dhe pjesëmarrjes rinore në Tiranë dhe Sarajevë.
Re-ACT Lab promovon kërkimin dhe inovacionin si një mjet për të avancuar reformat qeveritare dhe ato të politikat në Kosovë dhe në nivel rajonal.