Marrëveshja Kosovë-Danimarkë Hyn në Fuqi: Çfarë Duhet të Dini
18 Mars 2025
Shkruar nga: Sokol Zeneli
18 Mars 2025
Shkruar nga: Sokol Zeneli
Një tendencë shqetësuese po shfaqet në shtetet anëtare të BE-së - eksternalizimi i sfidave komplekse, duke përfshirë çështjet shoqërore, politikat e migracionit dhe menaxhimin e mbetjeve, në vendet e treta. Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme që këto janë praktika jodemokratike dhe kan rreziqe të mundshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut, shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të eksplorojnë mënyra të reja për të deleguar problemet e tyre. Përderisa marrëveshja e fundit mes Italisë dhe Shqipërisë për përpunimin e kërkesave për azil ka tërhequr vëmendje të madhe, marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila përfshin transferimin e të dënuarve nga Danimarka në burgjet e Kosovës, deri më tani ka mbetur kryesisht e panjohur dhe padiskutuar.
Pasojat e kësaj marrëveshjeje shtrihen përtej kufijve të Kosovës dhe Danimarkës. Vetë marrëveshja ngre shqetësime serioze për shkelje të mundshme të detyrimeve mbi të drejtat e njeriut. Për më tepër, kjo marrëveshje mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, duke inkurajuar shtete të tjera të transferojnë përgjegjësitë e tyre në vende më pak të zhvilluara, duke anashkaluar detyrimet e tyre ndërkombëtare. Kjo praktikë minon të drejtën ndërkombëtare dhe mund të çojë në një degradim të standardeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 23 maj 2024 dhe hyri në fuqi vetëm 15 ditë më vonë. Megjithatë, zbatimi i saj ende nuk ka filluar. Shpejtësia e këtij procesi ngre pyetje dhe shqetësime urgjente si për të dyja vendet, ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar më gjerësisht. Këto shqetësime do të trajtohen më në detaje më poshtë.
Në vitin 2022, Mbretëria e Danimarkës dhe Republika e Kosovës nënshkruan një traktat "për përdorimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze." Kjo marrëveshje i lejon qeverisë daneze të transferojë deri në 300 shtetas të vendeve të treta për të vuajtur dënimet e tyre me burg në Kosovë. Pas përfundimit të dënimit, të burgosurit do të kthehen në Danimarkë për t'u deportuar në vendet e tyre të origjinës.
Negociatat për këtë marrëveshje kanë zgjatur disa vite, duke arritur formën përfundimtare nën qeverisjen e Kryeministrit Kurti. Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, znj. Haxhiu, ka deklaruar se kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për Kosovën. Ajo gjithashtu ka vënë në dukje se marrëveshja u rinegociua për të përmbushur hapat procedurale që nuk ishin ndjekur në negociatat e administratave të mëparshme. Marrëveshja parashikohet të mbetet në fuqi fillimisht për 5 vjet, me mundësinë e zgjatjes automatike për 5 vjet të tjerë – nëse asnjëra palë nuk kundërshton një gjë të tillë.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Kosova do të përfitoj 15,000,000 € në vit, të disbursuara në këste tremujore prej 3,750,000 €.[1] Për më tepër, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, Kosova do të përfitojë edhe një pagesë shtesë prej 5,000,000 €, e cila është e destinuar për të mbuluar fazën kalimtare, përfshirë këtu rinovimin e institucionit korrektues dhe përmisime tjera me stafin për të përmbushur standardet daneze.[2] Sipas ministres, marrëveshja është ekonomikisht e favorshme për Kosovën. Shuma prej 210,000,000 € e përfituar përmes kësaj marrëveshjeje do të destinohet për investime kapitale, veçanërisht për projekte të energjisë së ripërtëritshme. Gjithashtu, ministrja ka sqaruar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do t'i mundësojë Shërbimit Korrektues të Kosovës të avancojë kapacitetet, kushtet dhe infrastrukturën fizike dhe profesionale.
Marrëveshja përcakton se burgu dhe të burgosurit do të administrohen nën juridiksionin danez, ndërsa rojet nga Kosova do të jenë të lidhur me ligjin kosovar. Një guvernator do të jetë përgjegjës për menaxhimin e burgut[3], i mbështetur nga pjesa tjetër e stafit të dërguar nga Danimarka për të ndihmuar në administrimin e institucionit. Puna e guvernatorit do të bazohet në kuadrin ligjor danez, përfshirë detyrimet e tij ndërkombëtare.
Ekzistenca dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje sjell shumë sfida dhe çështje që nuk mund të lihen pa adresuar.
Marrëveshja ngre shqetësime serioze në lidhje me standardet ndërkombëtare dhe implikimet etike të delegimit të përgjegjësive tek një vend i tretë. Megjithëse kjo marrëveshje është paraqitur si një zgjidhje pragmatike nga të dyja palët, duhet theksuar se ajo ka potencialin të minojë të drejtat dhe standardet themelore të njeriut. Një nga shqetësimet kryesore është mundësia e shkeljes së standardeve ndërkombëtare në trajtimin e të burgosurve. Këto standarde, të parashikuara në konventa si Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, garantojnë të drejta themelore si mosdiskriminimi, e drejta për jetën familjare dhe parandalimi i torturës dhe trajtimeve çnjerëzore.
Transferimi i të burgosurve në Kosovë, një vend i cili ka një sistem ligjor të ndryshëm dhe, me shumë gjasë, standarde më të ulëta të të drejtave të njeriut, e bën tepër të diskutueshme nëse Danimarka do të jetë në gjendje të sigurojë që këto të drejta të respektohen plotësisht. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke marrë parasysh raportimet për abuzime dhe korrupsion brenda sistemit të burgjeve në Kosovë. Për më tepër, mbetet e paqartë se si Danimarka do të garantojë respektimin e këtyre të drejtave dhe standardeve. Megjithëse marrëveshja përcakton që mirëqenia dhe menaxhimi i të burgosurve mbeten nën juridiksionin e Danimarkës, distanca dhe ndryshimet mes kuadrit ligjor të dy vendeve e bëjnë të vështirë monitorimin dhe mbikëqyrjen efektive.
Përderisa marrëveshja lejon vizita monitorimi nga Avokati i Popullit i Danimarkës dhe Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), ajo nuk lejon të njëjtën të drejtë për organet monitoruese vendore në Kosovë. Kjo përbën një shqetësim serioz, pasi sipas marrëveshjes, oficerët korrektues që do të punojnë në burg do të jenë kosovarë dhe do të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës. Ky ndërlikim krijon një boshllëk ligjor sa i përket përgjegjësisive në rast të ndonjë shkeljeje.
Së fundmi, vetë marrëveshja përfaqëson një shkelje të standardit të mosdiskriminimit dhe parimit të trajtimit të barabartë të të burgosurve. Fakti që marrëveshja fokusohet në transferimin e shtetasve të huaj të cilët janë të paracaktuar për deportim shton një tjetër nivel shqetësimi. Kjo ngre pyetje mbi diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të të burgosurve në Danimarkë bazuar në shtetësinë e tyre. Gjithashtu, rrezikon që këta individë të margjinalizohen edhe më tej dhe të izolohen, me akses të kufizuar në rrjete mbështetëse dhe ndihmë ligjore në një vend me të cilin nuk kanë asnjë lidhje.
Siç u përmend më sipër, transferimi i të burgosurve në një institucion mijëra kilometra larg familjeve, avokatëve dhe rrjeteve të tyre mbështetëse krijon pengesa të mëdha logjistike dhe emocionale. Për shkak të kësaj distance, ruajtja e lidhjeve personale dhe familjare do të bëhet e vështirë, duke çuar në izolimin e të burgosurve dhe duke penguar çdo përpjekje për rehabilitim. Për më tepër, kjo mund të përkeqësohet nga barriera gjuhësore me të cilën të burgosurit mund të përballen në një burg në Kosovë. Së pari, kjo barrierë do të ndikojë në aftësinë e tyre për të pasur qasje në ndihmë juridike. Së dyti, do të kufizojë komunikimin me autoritetet kosovare që do të punojnë në burg, të cilët me shumë gjasë nuk do të kenë aftësitë e nevojshme gjuhësore për të bashkëpunuar dhe komunikuar plotësisht me të burgosurit. Probleme të tilla janë shfaqur edhe në raste të tjera të delegimit të të burgosurve në vende të huaja. Shembuj të dukshëm përfshijnë (i) marrëveshjen midis Holandës dhe Belgjikës dhe (ii) marrëveshjen midis Norvegjisë dhe Holandës, ku në të dyja rastet janë ngritur shqetësime mbi barrierat gjuhësore, kulturore dhe izolimin e të burgosurve.
Një tjetër çështje mbetet fakti që sistemi i burgjeve në Kosovë nuk ka kapacitetin e duhur njerëzor dhe infrastrukturor për të akomoduar 300 të burgosur shtesë, përveç atyre ekzistues. Po ashtu, nuk është propozuar asnjë plan konkret për transferimin e të burgosurve kosovarë nga burgu i Gjilanit në institucione të tjera brenda Kosovës. Dhënia me qira e burgut pa një plan të qartë për zhvendosjen e të burgosurve krijon një shqetësim tjetër për sistemin e burgjeve në Kosovë, veçanërisht për aftësinë e tij për të akomoduar të burgosurit ekzistues duke ruajtur standardet e tyre të jetesës dhe të drejtat e tyre. Për më tepër, edhe pse mundësia për të rinovuar burgun e Gjilanit (me €5,000,000 e ofruara nga Danimarka) promovohet si një përfitim, nëse qeveria e Kosovës nuk ndjek të njëjtin model investimesh për burgjet e tjera, kur marrëveshja të përfundojë, mund të krijohet një formë diskriminimi midis të burgosurve, ku ata që do të mbahen në burgun e Gjilanit do të kenë kushte më të mira jetese – më të afërta me standardet daneze.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm është mungesa e konsultimeve publike gjatë negociatave për këtë marrëveshje. Përderisa Ministria e Drejtësisë ka qenë e përfshirë në negociatat me homologët danezë, marrëveshja nuk është shqyrtuar asnjëherë më qytetarët dhe nuk është përfshirë asnjë kontribut nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC) dhe aktorë të tjerë në Kosovë. Edhe pse konsultime të tilla nuk parashikohen me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, duke marrë parasysh ndikimin e kësaj marrëveshjeje, një proces konsultimi me OSHC-të dhe aktorët e tjerë do të kishte qenë i nevojshëm. Kjo ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe respektimin e standardeve të qeverisjes së mirë, të cilave Kosova i është zotuar.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës nuk është thjesht një marrëveshje bilaterale; ajo është një simptomë e një fenomeni më të gjerë në politikat evropiane. Rritja e praktikës së eksternalizimit të problemeve komplekse nga shtetet anëtare të BE-së drejt vendeve jo-anëtare ngre shqetësime serioze për dobësimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe potencialin për shfrytëzim.
Kjo marrëveshje ngre veçanërisht pikëpyetje mbi kufijtë e outsourcing-ut dhe deri ku janë të gatshme të shkojnë shtetet anëtare të BE-së. Ndërsa delegimi i përgjegjësive mund të duket si një zgjidhje e përshtatshme për disa vende, një gjë e tillë nuk mund t’i përjashtojë këto shtete nga detyrimet e tyre ndërkombëtare. Transferimi i të burgosurve në një vend me një sistem ligjor krejtësisht të ndryshëm dhe me standarde potencialisht më të ulëta të të drejtave të njeriut ngre pyetje të mëdha mbi llogaridhënien brenda kësaj marrëveshjeje.
Nëse zbatimi i marrëveshjes rezulton i suksesshëm, mund të inkurajojë vende të tjera të ndjekin një qasje të ngjashme për çështjet e tyre, duke shkaktuar një "garë" drejt uljes së standardeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Fundja, kjo marrëveshje ndjek të njëjtën logjikë si marrëveshjet e zbatuara më parë, si ajo mes Belgjikës dhe Holandës. Për të shmangur shkeljet e të drejtave të njeriut, është thelbësore që të ketë më shumë transparencë dhe llogaridhënie në zbatimin e marrëveshjes – sigurisht më të larta sesa ato që janë parë gjatë negociatave të saj.
Për Ballkanin Perëndimor, kjo marrëveshje thekson cenueshmërinë e rajonit dhe shndërrimin e tij në një "deponi" për problemet e vendeve të tjera. Një praktikë e ngjashme mund të shihet në marrëveshjen e fundit mes Italisë dhe Shqipërisë. Megjithatë, duke qenë se vendet e rajonit ndodhen tashmë në situata të brishta, të ndikuara nga trashëgimia e konflikteve dhe përpjekjet e vazhdueshme për ndërtimin e shtetit, ato duhet të vazhdojnë të mbrojnë sovranitetin e tyre, të përmirësojnë standardet e të drejtave të njeriut dhe të ruajnë vlerat demokratike. Këto janë gjithashtu kritere të rëndësishme në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, dhe marrëveshje apo praktika të tilla mund të rrezikojnë progresin e bërë deri më tani.
Kuptimi dhe shqyrtimi kritik i kësaj marrëveshjeje është veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën. Marrëveshja mund të ketë pasoja të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe të arriturat e deritashme me përmisimin e të drejtave të njeriut në vend. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është relativisht i ri dhe vazhdon të kalojë reforma të rëndësishme me qëllim përmirësimin dhe forcimin e tij. Fluksi i madh i të burgosurve të huaj, si dhe aplikimi i juridiksionit të një shteti tjetër brenda institucioneve të Kosovës, mund të rëndojë kapacitetet e këtij sistemi dhe potencialisht të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut. Pasojat e këtyre shkeljeve mund ta largojnë edhe më shumë vendin nga konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe nga rruga drejt integrimit në BE.
_______________________________
1. Traktati Kosovë - Danimarkë. Artikulli 32(1)
2. Ibid. Artikulli 32(3) and (4)
3. Ibid. Artikulli 13(1)
Sokol Zeneli është Drejtor i Programeve në Re-ACT Lab. Ai ka një LLM në të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Glasgow dhe një MA në Siguri Ndërkombëtare nga IBEI. Sokoli ka përvojë të gjerë profesionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kërkimet e tij fokusohen në temat që lidhen me integrimin në BE, bashkëpunimin rajonal, tregtinë ndërkombëtare dhe qeverisjen e qëndrueshme.
Re-ACT Lab promovon kërkimin dhe inovacionin si një mjet për të avancuar reformat qeveritare dhe ato të politikat në Kosovë dhe në nivel rajonal.